Dita e Tokës 2018

Dita e Tokës 2018

Broshura PDF: Shiko dokumentin

22 Prill 2018 - Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, “Dita e Tokës”

Një aktivitet kombëtar u organizua sot në Parkun Kombëtar DK, nga Rrjeti për Mbrojtjen Natyrës në Shqipëri, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Mjedisit – REC Shqipëri dhe AdRZM qarku Fier, në kuadër të programit SENiOR-II, të mbështetur nga Ambasada Suedeze në Shqipëri.

Ky aktivitet u organizua me mbeshtetjen e projektit; “Promovimi dhe advokimi i një menaxhimi të qëndrueshëm të burimeve dhe vlerave natyrore në zonat e mbrojtura” i cili zbatohet në 16 Zona te Mbrojtura nga organizatat e Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës në rajonet: Shkodër, Kukës, Tropojë, Ulëz, Krujë, Tiranë, Fier, Librazhd, Korçë, Përmet, Dropull dhe Vlorë.

Data 22 prill, njihet në gjithë botën, si Dita Ndërkombëtare e Planetit Tokë. Kjo është një ditë që shërben për të dhënë alarmin për dëmet që njerëzimi i shkakton pyjeve, lumenjve, tokës dhe pasurive të tjera të natyrës, si dhe të reflektojë e sensibilizohet për të ndalur shkatërrimin e mëtejshëm të saj.

Çdo vit Dita e Tokës ka moton e saj dhe për vitin 2018 është: "Mjaft ndotjes plastike".

Tradita e festimit të Ditës së Planetit Tokë vazhdon të respektohet edhe sot, kur shkatërrimi i natyrës dhe problemet në lidhje me të janë thelluar më shumë se kurrë.

Aktualisht në Shqipëri, shumica e burimeve natyrore, janë nën kërcënimin e presioneve të vazhdueshme, si: prerjet e paligjshme, gjuetia e paligjshme, mbipeshkimi, turizmi i pakontrolluar dhe aktivitetet rekreative jo mirë të menaxhuara, erozioni dhe degradimi i tokës, zjarret, keqmenaxhimi i ujërave dhe ndërtimi i hidrocentraleve (HEC), ndotja e mjedisit, mostrajtimi i ujërave të zeza dhe të përdorura, menaxhimi i pa kontrolluar i territorit, ndërtimet kaotike dhe infrastruktura, vëmendja e pakët ndaj peizazhit dhe menaxhimit të integruar dhe të qëndrueshëm të burimeve natyrore, si dhe mungesa e alternativave për zëvendësimin e tyre, etj. Rruga e ndjekur në gjithë këtë periudhë tranzicioni për shfrytëzimin e pasurive natyrore dhe mbrojtjen e mjedisit ka qenë shumë shkatërruese, me gjurmë tepër të dukshme, në shumë raste të pakthyeshme, me shumë kosto dhe pasoja të rënda në ekonominë e vendit, por dhe për vetë shëndetin e njeriut. Mjafton të përmendim këtu shfrytëzimin e tepruar të pyjeve, varfërimin e skajshëm të faunës, të bimëve aromatike-mjekësore, përdorimin pa kriter të tokës bujqësore, urbanizimin, ndotjen e saj nga përdorimi pa kriter i plehrave kimike dhe pesticideve, ndotjen nga ujërat e shkarkimeve dhe mbetjet urbane dhe industriale, pushtimin e brezit të dunave bregdetare, ndërtimet në zonat e mbrojtura, dhe së fundi shfrytëzimin e tejskajshëm të lumenjve për hidroenergjetikë. Edhe vetë Zonat e Mbrojtura Mjedisore, të cilat kanë një status të veçantë mbrojtjeje, ekzistojnë në një mjedis që ndryshon me shpejtësi dhe përbën kërcënime për to, duke filluar nga ndryshimet klimatike, llojet e huaja të specieve, fragmentimi i peizazheve natyrore, rritja e urbanizimit dhe shtimi i nevojës për burime natyrore.

Dita e Tokës 2018 është e përkushtuar që të sigurojë informacionin dhe frymëzimin e nevojshëm për të ndryshuar rrënjësisht qëndrimin dhe sjelljen njerëzore në lidhje me plastikën.

Aktiviteti i datës 22 Prill ishte vazhdimi i një procesi ndërgjegjësimi të nisur më parë me nxënësit dhe komunitetet përreth 16 zonave të mbrojtura në të gjithë territorin e Shqipërisë me fokus mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës, minimizimin dhe reduktimin e mbetjeve plastike dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore. Festimi i datës 22 Prill pranë Parkut kombëtar Divjakë – Karavasta i ngjante një mozaiku veprimtarish mes ekspozitave të punimeve artistike të nxënësve të shkollave 9 vjeçare në zonën e Divjakës, mbjelljes së 5 mijë fidanëve pishë e butë dhe e egër si një kontribut i dhënë nga përfaqësuesit e shoqërisë civile të ardhur nga 9 rajone të Shqipërisë, si dhe pastrimi i territorit me mbështetjen dhe përfshirjen aktive të komunitetit të mësuesve, prindërve, nxënësve dhe grave lokale në zonë. Të gjithë bashkë; qytetarë, fëmijë, të rinj e të moshuar ndanë pak kohë për të mbjellë një pemë, pastruar një territor publik, apo për të dhënë një mesazh për ndërgjegjësimin qytetar ndaj çështjeve mjedisore më të ndjeshme në Shqipëri. Mesazhet e përcjella dhe përkushtimi që treguan të gjithë pjesëmarrësit treguan një ndjeshmëri shumë të lartë dhe interesim për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës. Mesazhet e dhëna veçanërisht nga të vegjlit e talentuar dhe kontributi i tyre në aktivitete të këtij lloji na japin shpresë për një shoqëri të së nesërmes më të ndërgjegjshme dhe miqësore me mjedisin, natyrën dhe vete planetin Tokë.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: