Trajnim mbi legjislacionin kombëtar për ruajtjen e natyrës

Trajnim mbi legjislacionin kombëtar për ruajtjen e natyrës

Njoftim për Shtyp
Lezhë - Librazhd - 19/23 Korrik 2019 - trajnim “mbi legjislacionin kombëtar për ruajtjen e natyrës, PËRDORIMIN DHE MENAXHIMIN E QËNDRUESHËM TË BURIMEVE NATYRORE NË ZONAT E MBROJTURA DHE MODELI I PJESËMARRJES PUBLIKE”
Burimet natyrore në Shqipëri janë duke vuajtur nga presionet, janë nën kërcënime të vazhdueshme, duke përfshirë prerjet e paligjshme të pyjeve dhe të mbulesës vegjetative, gjuetinë, turizmin pakontrolluar dhe aktivitetet rekreative jo mirë të menaxhuara, erozionin dhe degradimin e tokës, zjarret, keq menaxhimin dhe përdorimin jo të qëndrueshëm të ujërave, hapjen e guroreve dhe të minierave, ndërtimin e HEC-ve si dhe tjetërsimin e peizazhit natyror. Zbatimi i dobët i ligjit dhe një menaxhim joefektiv i aplikuar në praktikë, mbetet ndër shqetësimet më kryesore të ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit në Shqipëri. Strukturat qendrore dhe lokale që merren me ruajtjen dhe përdorimin e elementëve të biodiversitetit, menaxherët e zonave të mbrojtura dhe aktorët të tjerë shpesh nuk kanë njohuri, aftësitë dhe mjetet e mjaftueshme. Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Shqipëri nuk është i integruar ende si duhet në politikën kombëtare dhe lokale. Përfshirja e komuniteteve lokale në ruajtjen e natyrës dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura ka ende një rrugë të gjatë për të kryer. Aktualisht, kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikave të ruajtjes së mjedisit dhe natyrës, dhe lehtësisht të çon në konflikte të panevojshme dhe keqkuptime, veçanërisht për komunitetet lokale që jetojnë në rajonet me biodiversitetit të larta të vendit. Komunikimi me pjesëmarrjen e gjërë të publikut, nëpërmjet  edukimit e zbatimit të praktikave më të mira për ruajtjen e natyrës dhe përdorimin e integruar e të barazpeshuar të burimeve natyrore, mbeten instrumente thelbësore për të rritur mbështetjen për këtë problem dhe për të kontribuar në menaxhimin efektiv të zonave të mbrojtura dhe të burimeve natyrore në Shqipëri.
Në këtë këndvështrim, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”, të financiar nga Bashkimi Evropian (BE), nëpërmjet programit “Mbështetje për kapacitet e Shoqërisë Civile”, organizuan Trajnimet Lokale “Mbi legjislacionin kombëtar për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe modelin e pjesëmarrjes publike”, në Lezhë dhe Librazhd.
Trajnimet synonin të përmirësojnë njohuritë e OMShC-ve lokale mbi legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e burimeve natyrore dhe praktikat evropiane më të mira, për të siguruar pjesëmarrjen publike përmes eksperiencave të shkëmbimit të informacionit. Kjo do të rrisë rolin e tyre vëzhgues për të njohur mangësitë në kuadrin rregullator kombëtar. Këto trajnime bënë të mundur që OMShC-të të kuptojnë se si do të përdorin mjetet e advokimit për të mundësuar zbatimin e një plani advokimi me qëllim përmirësimin e zbatueshmërisë së kuadrit ligjor për ruajtjen e Zonave te Mbrojtura dhe burimeve natyrore në zonën e Rezevës së Menaxhuar Kune-Vain-Tale si dhe në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Partnerët e projektit dhe përfaqësuesit e OMSHC-ve lokale në bashkëpunim edhe me përfaqësuesit e mediave lokale si dhe institucioneve publike lokale rajonale, do të punojnë së bashku për të marrë në konsideratë vlerësimin e nevojave për zonat pilote sipas problemeve kritike me të cilat ato përballen dhe do të përcaktojnë instrumentet advokuese për t’i mbrojtur e zhvilluar ato.
Trajnimet shërbyen për të krijuar urat e bashkëpunimit dhe komunikimit midis pushtetit lokal, OMShC-ve dhe vetë komunitetit se bashku me mediat lokale për të bashkëpunuar ngushtësisht në zbatim të kuadrit ligjor për mbrojtjen e natyrës dhe zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Në trajnime morën pjesë përfaqësues të pushtetit vëndor, të AdRZM-ve Lezhë dhe Elbasan, të OMShC-ve lokale, medias si dhe të ftuar të tjerë.
Për informacione të mëtejshme:
 
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA)
E-mail: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.   http://www.inca-al.org/
 
Shënim për botuesit:
 
INCA
Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) është një OJQ e krijuar në korrik 2000, me qendër në Tiranë,por që punon në të gjithë vendin dhe në rajon nëpërmjet bashkëpunimit me organizata partnere. Qëllimi kryesor i INCA është lehtësimi i ngritjes së kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimeve dhe proceseve me pjesëmarrje, ruajtja e natyrës dhe mbrojtja e florës dhe faunës në Shqipëri, mbështetja e zhvillimit rural. Ajo fokusohet në vlerësimin e biodiversitetit, zonat e mbrojtura dhe menaxhimin e baseneve të lumenjve dhe zbaton projekte në Shqipëri dhe në kontekst ndërkufitar. INCA është anëtar i IUCN dhe Forumit Global të Ujit (GWP) dhe përfaqëson WWF në Shqipëri. Që prej prillit 2013 INCA drejton Rrjetin për Rruajtjen e Natyrës në Shqipëri.
 
 
IUCN
IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) është organizata mjedisore më e vjetër dhe më e madhe në botë, me më shumë se 1200 qeveri dhe OJQ anëtare dhe rreth 11,000 ekspertë vullnetare në mbi 160 vende. Zyra e IUCN-së për Evropën mbulon kontinentin Evropian, Rusinë dhe Azinë qendrore dhe vendet e Bashkimit Evropian përtej detit. Zyra e IUCN për Evropën Juglindore (IUCN SEE) nxit përmirësimin e qeverisjes së burimeve natyrore dhe biodiveristetit dhe mbështet nismat për ruajtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e ekosistemeve për mirëqenien e njerëzve. Duke punuar bashkërisht me anëtarët e IUCN dhe Komisionet ajo harton politikat rajonale dhe mbështet dy iniciativa kryesore: Nismën e Harkut Dinarik dhe Brezin e Gjelbër të Evropës.
 
 
logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: