Veprimet për reduktimin e plastikës në lumin Shkumbin
PËR NJË DET MESDHE PA PLASTIKË
TAKIMI KOMBËTAR
“VEPRIMET PER REDUKTIMIN E PLASTIKËS NË LUMIN SHKUMBIN”
Çdo vit, tetë milionë ton mbetje plastike rrjedhin nga toka në det. Ndotja plastike është një nga katastrofat më të mëdha mjedisore që prek veçanërisht oqeanet dhe detet. Me ndikimin e saj në shëndetin e njerëzve, shëndetin e kafshëve, biodiversitetin dhe rolin në ngrohjen globale, ajo përbën një kërcënim te rëndësishëm.
“Deti Mesdhe, një nga detet më të çmuara në planetin tonë për biodiversitetin e larmishëm që strehon, është edhe deti më i ndotur në botë” – thekson Lucile Courtial, Sekretare Ekzekutive e Beyond Plastic Med, në takimin kombëtar “Veprimet për reduktimin e plastikës në lumin Shkumbin”. “Rreth 33 mijë ton mikro-plastikë vlerësohet të derdhet në të çdo vit. Plastika përfaqëson në tërësi 95% të mbetjeve detare” pohon ajo.
Takimi, organizuar më 20 nëntor 2024, në Hotel Imperial, Elbasan, në kuadër të projektit BeMed+, mblodhi bashkë aktorët lokalë e kombëtarë për të forcuar njohuritë mbi ndotjen plastike, sektorët e prekur, nxitësit dhe frenuesit e ndotjes plastike në Shqipëri. Synimi kryesor është inicimi i një plani veprimi pilot 2-vjeçar, masat e të cilit lidhen me sektorin e menaxhimit të mbetjeve, sektorin HoReCa (Hotel, Restorant dhe Kafene) dhe sektorin e sportit. Masat e propozuara do të jenë të qëndrueshme, të përshtatura me çështjet lokale dhe me synime afatgjatë. Sukseset do të promovohen si praktika të mira që mund të riprodhohen në rajone të tjera.
Lumenjtë janë identifikuar si burimi kryesor i prurjes së mbeturinave, nga zonat e banuara në dete. 80% e plastikës në oqeane vjen nga brendësia e zonave te banuara. Pasi lëshohet në mjedis, plastika mund të marrë deri në 500 vjet për t'u zhdukur. Ndërsa lëviz në ujë, plastika mund të mbysë shumë specie kafshësh. Nën ndikimin e dritës së diellit, ajo copëtohet në mikroplastikë që mund të gëlltitet nga peshqit, të hyjë në zinxhirin ushqimor dhe të bëhet një kërcënim potencial për shëndetin e njeriut.
Me rritjen e vazhdueshme të prodhimit global dhe kërkesës për produkte plastike, studiuesit parashikojnë se sasia e mbetjeve plastike që mbërrijnë në det do të vazhdojë të rritet, nëse nuk fillojmë te mendojmë e zbatojmë zgjidhje vendore, të cilat duhet të përfshijnë patjetër edhe sektorin privat për të qenë të qëndrueshme.
“Beyond Plastik Med – Së bashku Për një Det Mesdhe pa plastikë” (BeMed +) është projekti që po zbatohet në dy vende të Mesdheut, në Shqipëri dhe Tunizi. Projekti synon reduktimin e ndotjes nga plastika në rajonin e Mesdheut. BeMed+ ka për qëllim të mbështesë zbatimin e veprimeve në terren për të reduktuar ndotjen plastike në Mesdhe, në veçanti në Vendet e Mesdheut Jugor dhe Lindor” – thotë Clémence Baudu-Descamps, menaxhere projektesh për Surfrider Foundation Europe.
BeMed+ synon të aktivizojë një rrjet aktorësh në terren për të mbështetur dhe amplifikuar ndikimin e veprimeve për të luftuar ndotjen plastike në Mesdhe. Vlerësimi i zgjidhjeve efektive, sigurimi i instrumenteve dhe nxitja e shkëmbimeve rajonale, mbështetja financiare, shkencore dhe teknike për bizneset në zinxhirin e vlerës të produkteve plastike, janë disa nga aktivitetet kryesore të projektit, i cili do të mbështesë edhe hartimin dhe zbatimin e zgjidhjeve në shkallë të gjerë nga sektori privat.
Genti Kromidha, President i INCA nënvizoi se - “Në Shqipëri projekti ka në fokus gjithë pellgun ujëmbledhës të lumit Shkumbin, i cili konsiderohet shumë i ndotur nga mbetjet plastike. Aksionet pilote te projektit konsistojnë ne tre drejtime: menaxhimi i mbetjeve plastike nga bashkitë, menaxhimi i mbetjeve plastike nga restorantet, hotelet dhe baret si dhe menaxhimi i mbetjeve plastike nga aktivitetet sportive (rafting)”.
Në këtë kuadër, për të kuptuar më mirë kontekstin rajonal, INCA ka realizuar vlerësimin i kuadrit ligjor kombëtar, studimeve dhe projekteve shkencore ekzistuese si dhe të gjithë iniciativave të tjera mbi burimet dhe rrjedhat e ndotjes makro dhe mikroplastike në rajonin pilot, duke nxjerre një sërë rekomandimesh për përmirësime të nevojshme.
Në lumin Shkumbin është zbatuar protokolli për hartëzimin e ndotjes plastike në lumenj hartuar nga Surfrider Foundation Europe, i cili mundëson lehtësisht identifikimin dhe vlerësimin e ndotjes plastike në të gjithë zonën e pellgut ujëmbledhës të lumit Shkumbinit dhe ndërtimin e një harte të zonave ku grumbullohen mbetjet si dhe tipologjinë e tyre. Të dhënat janë mbledhur në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Sportit dhe Turizmit në Elbasan dhe një grup të rinjsh vullnetarë të pasionuar pas sportit të raftit në Elbasan.
Për më tepër informacion kontaktoni:
Daniela Godo
Email: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
https://www.inca-al.org/sq/postimet/lajmet-e-fundit/veprimet-per-reduktimin-e-plastikes-ne-lumin-shkumbin#sigProId78fa175af4